Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, ka deklaruar se thirrja e seancës së jashtëzakonshme për çështjen e buxhetit për vitin 2026 si dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk është politike, por nevojë e domosdoshme për miratimin e tyre.
Ai në fillim të seancës tha se qytetarët nuk e meritojnë që për shkak të inateve politike të humbin miliona euro në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian.
Mirëpo, Basha tha se nuk ka gjetur mirëkuptim te partitë parlamentare në Kuvend që të themelohen komisionet parlamentare, të miratohen marrëveshjet ndërkombëtare, raporti për RTK-në si dhe të shqyrtohet projekt-buxheti për vitin 2026.
“Fatkeqësisht këtë mirëkuptim nuk e kam gjetur te një pjesë e grupeve parlamentare dhe Kuvendi ka mbetur pa e trajtuar asnjë nga çështjet e mësipërme. Të dashur kolegë, duke marrë parasysh se sot kemi votimin e qeverisë dhe të gjitha subjektet politike janë deklaruar se nuk do të votojnë mandatarin e dytë, atëherë për mua ka qenë e arsyeshme të mbështes thirrjen edhe të një seance të jashtëzakonshme për të trajtuar nga ky Kuvend këto çështje kaq me rëndësi për qytetarët. Me mirëkuptimin e të gjithë deputetëve unë jam i gatshëm që sa më parë të thërras një mbledhje të kryesisë dhe bashkë me përfaqësuesit e subjekteve politike të procedojmë në themelimin e së paku katër komisioneve parlamentare të përhershme”, thekson ai.
Basha tha se çështjet e kësaj seance nuk janë politike, por nevojë e qytetarëve.
“Çështjet e kësaj seance nuk kanë të bëjnë me veprime politike, andaj edhe një herë i bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që t’i analizojnë me maturi dhe në kontekst të rrethanave shtetërore ku gjendemi dhe pritjeve të qytetarëve tanë, të cilët nuk e meritojnë të pamundësojnë votimin e këtyre ligjeve jetike për shkak të inateve politike”, thekson ai.







