Austria, Belgjika, Skocia dhe Spanja janë katër kombëtaret e fundit që kanë siguruar kualifikimin direkt për Kupën e Botës 2026. Këto përfaqësuese i bashkohen tashmë Gjermanisë, Zvicrës, Francës, Portugalisë, Holandës, Norvegjisë, Anglisë dhe Kroacisë, të cilat e kishin siguruar më herët pjesëmarrjen.
Belgjika pati detyrën më të lehtë mbrëmjen e sotme, duke mposhtur pa vështirësi Lihtenshtajnin në shtëpi. Kundërshtari nuk paraqiti asnjë rrezik, ndërsa belgët fituan bindshëm 7:0. Golat u shënuan nga Hans Vanaken, një dopietë e Jeremy Doku, Brandon Mechele, Alexis Saelemaekers dhe dy gola nga Charles De Ketelaere.
Spanja, kampione e Evropës, barazoi 2:2 me Turqinë në një ndeshje ku humbja me shtatë ose më shumë gola do t’i rrezikonte kualifikimin. Spanja kaloi herët në epërsi me Dani Olmo, para se Turqia ta përmbyste rezultatin me golat e Deniz Gul dhe Salih Ozcan. Në minutën e 62-të, Mikel Oyarzabal barazoi dhe vulosi kualifikimin e iberikëve.
Drama më e madhe e mbrëmjes u zhvillua në Skoci, e cila kërkonte domosdoshmërisht fitoren ndaj Danimarkës për t’u kthyer në Kupën e Botës pas 26 vitesh. Skocia triumfoi 4:2 në një sfidë të zjarrtë. Scott McTominay hapi serinë e golave, ndërsa Danezët barazuan me penalltinë e Rasmus Hojlund. Pas përjashtimit të Rasmus Kristensen, Skocia rimori epërsinë me Lawrence Shankland, por
Patrick Dorgu barazoi menjëherë. Në kohën shtesë, Kieran Tierney dhe Kenny McLean shënuan dy gola të vonshëm që sollën festë të madhe në stadium dhe i siguruan Skocisë kualifikimin historik. /ATVLIVE.TV








