Pas përfundimit të kualifikimeve të rregullta për Kampionatin Botëror 2026, Kosova tashmë është zyrtarisht pjesë e “play-off”-it të Botërorit.
Kosova e mbylli Grupin B në vendin e dytë me 11 pikë të grumbulluara nga gjashtë ndeshje, ndërsa Zvicra siguroi kualifikimin direkt me 14 pikë.
Tashmë janë bërë të ditur edhe kundërshtarët e mundshëm të Kosovës në fazën “play-off”. Kosova do të jetë në vazon e tretë, ku gjendet edhe Shqipëria. Nga kjo pozitë, të dy kombëtaret shqiptare do të ndeshen me ekipe nga vazoja e dytë, në të cilën bëjnë pjesë Sllovakia, Republika Çeke, Uellsi dhe Polonia.
Në gjysmëfinale, Kosova do të përballet me njërën nga këto përfaqësuese, ndërsa nëse kalon më tej, në finale mund të ndeshet me një ekip nga vazoja e parë: Italia, Danimarka, Turqia ose Ukraina.
Shorti i “play-off”-it të Botërorit do të zhvillohet të enjten, duke nisur nga ora 13:00. /ATVLIVE.TV







