Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, tha të martën se vendi i tij do të rrisë investimet në SHBA nga 600 miliardë dollarë në gati 1 trilion dollarë.
“Unë besoj, z. President, se sot dhe nesër mund të njoftojmë se do ta rrisim atë shumë prej 600 miliardë dollarësh në pothuajse 1 trilion dollarë për investime reale”, u tha Bin Salman, i njohur edhe si MBS, gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë së bashku me Presidentin e SHBA-së Donald Trump .
Ai tha se të dy vendet do të nënshkruajnë marrëveshje në shumë fusha, duke përfshirë teknologjinë, inteligjencën artificiale dhe magnetet, marrëveshje “që do të krijojnë shumë mundësi investimi”.
Trump ndërhyri, duke thënë: “Tani po më thua se 600 miliardë do të jenë 1 trilion.”
«Patjetër, sepse ajo që po nënshkruajmë është për ta lehtësuar këtë», u përgjigj princi.
Trump e falënderoi princin që pranoi investimet.
“Dua t’ju falënderoj sepse keni rënë dakord të investoni 600 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, dhe meqenëse ai është miku im, mund ta bëjë një trilion, por do të duhet të punoj me të”, tha ai.
“Mund të llogarisim në 600 miliardë, por ky numër mund të rritet pak më shumë”, shtoi Trump, i etur për të reklamuar frytet e kontakteve të tij të huaja për audiencën amerikane.







