Pamundësia për të njohur të dashurit, tipike për sëmundjen e Alzheimerit, mund të jetë rezultat i përkeqësimit të rrjeteve mbrojtëse që rrethojnë neuronet në tru, megjithatë, ekzistojnë ilaçe, të cilat tashmë po studiohen në trajtimin e tumoreve dhe artritit, që mund të rivendosin këto struktura dhe të ruajnë kujtimet, sipas një eksperimenti mbi minj të kryer nga Universiteti i Virxhinias dhe Virxhinia Tech, botuar në revistën “Alzheimer and Dementia”.
“Zbulimi i një ndryshimi strukturor që shpjegon humbjen specifike të kujtesës në sëmundjen e Alzheimerit është jashtëzakonisht emocionues”, tha koordinatori i studimit Harald Sontheimer.
Sipas tij, është një objektiv krejtësisht i ri, dhe ne tashmë kemi ilaçe të mundshme në dispozicion.
Ekipi i tij kërkimor ka treguar më parë se në rajone të caktuara të trurit ekzistojnë struktura (të quajtura rrjeta perineurale) që formojnë një matricë rrjetë rreth neuroneve, duke shërbyer si një pengesë kyçe që u lejon neuroneve të komunikojnë siç duhet dhe të formojnë kujtime të reja.
Bazuar në këtë, studiuesit hipotezuan se ndryshimet në këto rrjete mund të jenë një pikë kthese kritike në zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit.
Eksperimentet e reja mbi minjtë e konfirmojnë këtë: individët me rrjete perineuronale të dëmtuara në zonën CA2 të hipokampusit humbasin aftësinë për të kujtuar minjtë e tjerë (të ashtuquajturën kujtesë sociale), megjithëse ata ende mund të krijojnë kujtime të reja rreth objekteve në mjedisin e tyre.
Kjo pasqyron atë që shihet te njerëzit me Alzheimer, tek të cilët kujtesa sociale shpesh zhduket përpara kujtesës së objekteve.
Studiuesit më pas provuan të përdorin ilaçe – frenues të metaloproteinazës së matricës (MMP), të cilët bllokojnë enzimat e afta për të zbërthyer proteinat e matricës jashtëqelizore, duke përfshirë ato në rrjetet perineuronale.
Rezultatet tregojnë se minjtë që morën frenues të MMP-së kanë më pak degradim të këtyre rrjeteve dhe ruajnë kujtesë më të mirë sociale pavarësisht sëmundjes së Alzheimerit.
Përpara se kjo qasje të testohet te njerëzit, paralajmëron Sontheimer, do të duhen kryer kërkime shtesë mbi sigurinë dhe efikasitetin.







