Policia e Kosovës ka lëshuar një apel për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, sidomos drejtuesit e automjeteve, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, për shkak të reshjeve të shiut dhe rrugëve të mbuluara me ujë.
Sipas njoftimit, ndryshimi i kushteve atmosferike po krijon vështirësi në qarkullim, prandaj Policia kërkon:
- Përshtatje të shpejtësisë me gjendjen e rrugës dhe kushtet e motit
- Mbajtje të distancës së sigurisë mes automjeteve
- Ngadalësim të lëvizjes, veçanërisht në segmente të mbuluara me ujë
Policia u bën thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm, me qëllim të shmangies së aksidenteve dhe garantimit të sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.







