Sot parashikohet të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu, të cilat herë pas here lokalisht pritet të jetë në formë të rrebesheve. Ka mundësi të ketë ndonjë vetëtimë dhe bubullimë.
Si pasojë e reshjeve intensive, veçanërisht në disa pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, pritet të ketë vërshime.
Në zonat e larta malore, konkretisht në zonën perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe verilindore, pritet të ketë reshje bore.
Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme lokalisht, me shpejtësi prej 15-44 km/h.
Temperaturat do të pësojnë ulje, me minimale që do të lëvizin prej 9 deri në 12°C, ndërsa ato maksimale prej 11 deri në 13°C. Ulja e temperaturave do të ndodhë fillimisht paradite në veri të vendit, ndërsa me kalimin e orëve gjatë ditës kjo ulje do të shtrihet gradualisht edhe në jug të vendit.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka dalë me një apel për qytetarët pas paralajmërimit të Institutit Hidrometeorologjik se në dy ditët e ardhshme mund të ketë vërshime dhe përmbytje.
AME ka thënë se ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112, shkruan Reporteri.net.
“Duke u bazuar në të dhënat e pranuara nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, parashihet që gjatë datave 18–19.11.2025 në vendin tonë të ketë reshje shiu, të cilat në disa zona pritet të jenë me intensitet të lartë. Këto reshje mund të shkaktojnë vërshime të shpejta dhe rritje të nivelit të ujërave në disa lokalitete. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, bazuar në mandatin dhe misionin e saj, ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës dhe koordinimin me institucionet relevante. Agjencia u bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë qarkullimit, të shmangin zonat me rrezik vërshimesh, dhe të raportojnë çdo situatë emergjente në numrin unik 112”, thuhet në njoftim.
Në njoftimin e IHMK’së thuhet se reshjet më intenstive dhe përmbytjet e mundshme të menjëhershme parashihet të jenë rrjedha e mesme dhe e poshtme e Drinit të Bardhë, Bistrica e Prizrenit, Mirusha, Toplluha, Ereniku, Bistrica e Deçanit dhe disa rrjedha me karakter malor.
“Sasia e reshjeve më shumë se 40 1/m2/24h. Shkaktim i përmbytjeve, problemeve në të gjitha aktivitetet e prodhimtarisë bujqësore, probleme në trafik dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut dhe balte. Rrezik për jetën e njerëzve dhe kafshëve, dëmtime të pronës”, theksohet në paralajmërimin e institutit.







