Institucionet evropiane kanë dhënë të hënën e 17 nëntorit një vlerësim të bashkuar dhe të prerë mbi ecurinë e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit, duke e cilësuar hapjen e grupkapitullit të fundit si një moment që e pozicionon vendin në fazën më të avancuar të negociatave deri më tani.
Brukseli e konsideron këtë arritje si rezultat të një ritmi të konsoliduar reformash dhe një përkushtimi të palëkundur institucional.
“Shqipëria ka bërë një përpjekje të fortë për reformat e harmonizimit me Bashkimin Evropian… kjo shpejtësi rekord është njohje e punës së madhe drejt së ardhmes evropiane”, theksoi ministrja daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.
Zyrtarja daneze nënvizoi se avancimi në negociata nuk është thjesht procedural, por një tregues i qartë i gatishmërisë së vendit për të përqafuar standardet evropiane në mënyrë tërësore.
Sipas saj, dinamika e deritanishme përbën bazën më të fortë të Shqipërisë për të hyrë në kapitullin vendimtar të procesit.
“Nëse Shqipëria vazhdon me të njëjtin ritëm, fokus dhe cilësi, jam e sigurt që anëtarësimi do të arrihet në një të ardhme shumë të afërt… Shqipëria i përket familjes evropiane”, shtoi Bjerre, duke e lidhur ecurinë me prioritetin e hapur të Presidencës daneze për zgjerimin.
Nga ana e saj, Komisionerja për Zgjerimin në BE, Marta Kos, theksoi dimensionin strategjik të këtij hapi për Bashkimin Evropian, duke e konsideruar përparimin e Shqipërisë si një shembull të prekshëm të transformimeve që prodhon procesi i zgjerimit. Ajo nënvizoi se përfshirja e plotë ekonomike e vendit në tregun e përbashkët europian po bëhet çdo ditë e më konkrete.
“Sot është një ditë e veçantë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për BE-në… Reformat po sjellin ndryshime reale në sistemin ekonomik shqiptar, duke e bërë atë vërtet evropian”, deklaroi Kos.
Komisionerja nënvizoi gjithashtu se suksesi në hapjen e grupkapitujve është vetëm gjysma e rrugëtimit, ndërsa theksi tashmë zhvendoset tek përmbushja e piketave dhe mbyllja substanciale e kapitujve, që konsiderohet objektivi real politik.
Ajo përmendi mbështetjen masive të qytetarëve shqiptarë si një faktor unik në gjithë rajonin.
“Çelja e grupkapitujve është një sukses i jashtëzakonshëm, por mbyllja e tyre është çmimi real… Me më shumë se 95 për qind mbështetje publike për integrimin, Shqipëria është e pozicionuar fort për hapin final”, theksoi Kos, duke konfirmuar angazhimin e Komisionit për të mbështetur vendin deri në anëtarësim.







