Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sërish ka dhënë një sqarim për deklaratën se “çmontuan 900 banda kriminale për pesë vjet”, gjë për të cilën ajo tha se u bë pa qëllim, ndërsa theksoi se bëhej fjalë për rastet e bandave kriminale që kanë qenë të involvuara në qindra raste.
Para gazetarëve, Osmani theksoi se nga këto raste, 93 janë vetëm ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Dje kemi dhënë një sqarim zyrtar. Janë bërë ndryshimet e nevojshme dhe ka qenë e qartë se ajo që kam pasur në mendje ka qenë numri i rasteve, sepse, siç e kemi thënë edhe më herët, bandat serbe kanë qenë të involvuara në qindra raste – qoftë në keqpërdorimin e votave nga viti 2021 e tutje, pastaj në presionin e vazhdueshëm ndaj qytetarëve të tjerë serbë, futjen e armëve ilegale, dhunën ndaj qytetarëve, djegien e makinave, si edhe sulmet ndaj gazetarëve. Vetëm 93 raste i kemi të evidentuara ndaj ushtarëve të KFOR-it. Pra, kemi qindra e qindra raste ku bandat serbe kanë qenë të përfshira në krime. Ajo që kam thënë ka qenë e lidhur me rastet, dhe ka qenë një gabim i paqëllimshëm. Menjëherë është bërë ndryshimi i nevojshëm në intervistë dhe as “Politico” nuk e ka përdorur atë pjesë. Ajo deklaratë nuk ka dalë në mediat ndërkombëtare sepse jemi siguruar që të bëhet korrigjimi zyrtar”,tha Osmani për media.







