Vetëm edhe katër ditë kohë i kanë mbetur mandatarit për kryeministër, Glauk Konjufca, që t’i propozojë Kuvendit përbërjen e re qeveritare, afat që skadon më 19 nëntor, për të parë nëse do të sigurojë votat e nevojshme për formimin e ekzekutivit të ri.
Megjithatë, sipas asaj që shihet e qëndrimeve partiake, nuk ka shumë shpresë.
Nominimi i Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje deri tash nuk ka ndryshuar qëndrimet e partive politike, PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Nismës, të cilat vazhdojnë të kundërshtojnë mbështetjen e një qeverie të udhëhequr nga ai.
Këto parti parlamentare kanë përsëritur qëndrimin e tyre se nuk do ta votojnë një qeveri me Konjufcën në krye dhe kanë kërkuar që vendi t’i drejtohet zgjedhjeve të reja.
Ndryshe, LVV nuk e sheh shkuarjen në zgjedhje në dhjetor si zgjidhjen më të mirë.







