Ministrja në detyrë e Tregtisë, Rozeta Hajdari, ndaj të cilës Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për rastin e rezervave shtetërore, ka dalë sot në një konferencë për media për të sqaruar veprimet e ndërmarra gjatë menaxhimit të rezervave shtetërore.
Hajdari ka theksuar se Prokuroria Speciale duhet të kishte marrë parasysh se tri herë procedurat e prokurimit për sigurimin e rezervave shtetërore kishin dështuar. Ajo ka theksuar rëndësinë e menjëhershme të sigurimit të rezervave, duke shtuar se shumë shtete kishin ndaluar eksportin.
“Ishte jetike të siguroheshin rezervat shtetërore. Siguria kombëtare ishte në rrezik. Gjatë periudhës Shkurt-mars 2022, Ministria e Tregtisë s’ka mundur të realizojë asnjë ofertë me operatorë ekonomik, meqë shtetet tjera ndaluan eksportin. Si rezultat i 3 shpalljeve që rezultuan pa sukses për konsolidimin e rezervave dhe si rezultat i luftës në Ukrainë, si ministri miratuam kërkesën që të përjashtohen procedurat”, ka thënë Hajdari.
Ministrja ka shtuar se shmangia nga procedurat lejohej edhe me ligj dhe ishte e nevojshme për të mbrojtur sigurinë kombëtare.
“Në kohë të luftës, ishte me rëndësi të mbronim sigurinë tonë kombëtare. Një procedurë e tillë ishte e paraparë dhe e lejuar me ligj”, ka përfunduar Hajdari.







