Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 25 vjet burgim Valmir Salihun, të akuzuarin për vrasjen e Sokol Osmanit në nëntor të vitit të kaluar.
Salihu është dënuar për shkak të veprave penale vrasje e rëndë dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Sipas Gjykatës, vrasja kishte ndodhur për shkak të një konflikti që viktima dhe dorasi kishin në të kaluarën.
“Me datë 07.11.2024, rreth orës 14:00 h, i akuzuari V. S. në Gjilan, në rrugën ,,Mërgimtarët e Gjilanit”, në parkingun e objektit banesor ,,Gëzimi 3”, përball lokalit berber shop ,,Donisi”, me dashje e në shenjë hakmarrje për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy viteve, e ka privuar nga jeta tani të ndjerin S. O., nga fshati Vërbicë, Komuna e Gjilanit, në atë mënyrë që me të arritur me biçikleta të pandehurit V. S. dhe F. M., përballë lokalit berber shop “Donisi”, aty i pandehuri V. e vëren të ndjerin S., i cili ishte duke hyrë në veturë, me ta vërejtur përnjëherë e repetit revolen e prodhimit “Zoraki”, modeli M-917-T, e kalibrit 9×17 mm, me numër serik A3YZR16YS01-2303343, i ofrohet afër dhe me një predhë e godet të ndjerin S., në anën e pasme të shpinës (komblikut), me ç’rast i ndjeri rrëzohet në tokë, e derisa ishte i rrëzuar, ofrohet i pandehuri V., e godet dy herë me grusht dhe një herë me shqelm, e më pas të pandehurit me shpejtësi largohen në drejtim të panjohur, derisa i ndjeri S. O. ndërron jetë”, thuhet në vendimin e Themelores.
Përpos Valmir Salihut, gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar edhe Florian Mitevin.
Ai është dënuar me 8 vjet burgim për shkak se e kishte ndihmuar Salihun pasi kishte përfunduar veprën penale duke e strehuan në një shtëpi në Livoç.
“I akuzuari F. M. nga data 07.11.2024 e deri më datë 12.11.2024, në Gjilan, në vende të ndryshme me dashje ka ndihmuar të pandehurin V. S. në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë, në atë mënyrë që edhe për kundër asaj që ishte prezentë kur i pandehuri V., shtënë një herë me revole në të ndjerin S. O., e të cilin edhe e godet me grusht dhe shqelm derisa tani i ndjeri ishte i rrëzuar në tokë, dy të pandehurit së bashku me biçikleta në shpejtësi largohen nga vendi i ngjarjes, shkojnë në shtëpinë e pa banuar i lënë biçikletat, dalin së bashku hipin në një taksi, shkojnë tek rrethi i spitalit rajonal, aty zbresin e më pas hipin prapë në një taksi tjetër dhe shkojnë në drejtim të fshatit Livoç i Ultë, me ç’rast aty rrinë të fshehur deri me datë 12.11.2024, kur dorëzohen në polici, në këtë mënyrë i pandehuri F., e ka ndihmuar të pandehurin V. në fshehjen e tij”, thuhet në vendimin e themelores.
Sokol Osmani, 37-vjeçar, ishte qëlluar për vdekje më 7 nëntorit të vitit të kaluar në Gjilan.







