Pas ndalimit të power bank-ëve në disa fluturime për shkak të rrezikut nga zjarri, disa linja ajrore po shtrëngojnë edhe më shumë rregullat për pajisjet elektronike që udhëtarët mbajnë me vete. Këtë herë në qendër të vëmendjes kanë përfunduar kufjet Bluetooth, përfshirë edhe Apple AirPods.
Kompanitë tajvaneze EVA Air, UNI Air dhe Tigerair kanë njoftuar se kufjet Bluetooth dhe kutitë e tyre të karikimit nuk lejohen më në bagazhet e regjistruara, duke kërkuar që të transportohen vetëm në bagazhin e dorës. Arsyeja lidhet me faktin se këto pajisje përmbajnë bateri litiumi, të cilat mund të nxehen tepër gjatë përdorimit ose karikimit.
Vendimi vjen pas disa incidenteve të raportuara me zjarre në avionë, të dyshuara si të shkaktuara nga power bank-e të dëmtuara. Bateritë e litiumit mund të prodhojnë temperaturë ekstreme në rast të një qarku të shkurtër.
Tigerair deklaroi: “Për arsye sigurie, pajisjet elektronike portative si kutitë e karikimit të kufjeve dhe ventilatorët elektrikë me bateri litiumi mund të transportohen vetëm në bagazhin e dorës.”
UNI Air tha: “Kufjet Bluetooth (përfshirë kutinë e karikimit) klasifikohen si Pajisje Elektronike Portative (PED). Për arsye sigurie, ato nuk lejohen në bagazhet e regjistruara dhe duhet të mbahen në bagazhin e dorës.”
Edhe Autoriteti i Aviacionit të Zelandës së Re ka ndërmarrë masa të ngjashme, duke e trajtuar kutinë e karikimit të kufjeve si një lloj power bank-u. Ndërkohë, në Britaninë e Madhe, Autoriteti i Aviacionit Civil (CAA) nuk i ndalon kufjet Bluetooth apo power bank-ët në kabinë, por rekomandon që të mos futen në bagazhet e regjistruara.
Rregullat ndryshojnë sipas linjës ajrore dhe kapacitetit të baterisë. Shumë kompani lejojnë pajisje deri në 100Wh në kabinë, për sa kohë që kjo vlerë është e shënuar qartë.
Udhëtarët këshillohen të verifikojnë rregullat specifike të linjës me të cilën fluturojnë përpara nisjes.
Paralajmërim tjetër për udhëtarët: kujdes me telefonat në aeroport
Udhëtarët janë paralajmëruar gjithashtu për një tjetër rregull që shpesh neglizhohet: pajisja duhet të ndizet gjatë kontrollit të sigurisë. Nëse telefoni ose tableti nuk ndizet, mund të konfiskohet si rrezik sigurie.
Sipas GOV.UK: “Sigurohuni që pajisjet elektronike të jenë të karikuara para se të udhëtoni. Nëse pajisja nuk ndizet kur kërkohet, nuk do t’ju lejohet të hyni në aeroplan.”
Ky rregull vlen për celularë, laptopë, tableta dhe çdo pajisje elektronike tjetër që planifikoni të merrni me vete në kabinë.







