Bedri Hamza zyrtarisht ka shpallur kandidaturën për t’u bërë kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, një ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.
Në një shkrim në Facebook, tek njoftoi për shpalljen e kandidaturës, Hamza ka thënë se beson që PDK-ja e ka “forcën për t’u unifikuar, reformuar dhe rikthyer si partia kryesore në vend”.
“Nga lufta për liri, deri te shtetndërtimi, demokratizimi dhe integrimi, PDK-ja ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës. Me mirënjohje të thellë për themeluesit tanë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin e Jakup Krasniqin, të cilët uroj të jenë së shpejti mes nesh, unë angazhohem për një PDK që ruan vlerat dhe krijon rrugë për gjeneratat e reja. Falënderim i veçantë edhe për dy miqtë e mi, Enver Hoxhajn dhe Memli Krasniqin, për udhëheqjen e tyre me dinjitet në kohë sfidash. Tani është koha për një PDK të bashkuar, që lufton për drejtësi, zhvillim dhe një Kosovë evropiane. PDK është familja jonë dhe së bashku do ta hapim kapitullin e ri të fitoreve”, ka shkruar ai.
Një ditë më parë, Krasniqi njoftoi për dorëheqjen. Ai po ashtu bëri të ditur se ka ftuar konventën e partisë për 17 nëntor. E Krasniqi edhe ka shprehur pëlqimin që Hamza të kandidojë për kryetar të partisë.
Hamza në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat i PDK-së për kryeministër. Deri tash ka qenë kryetar i Mitrovicës.







