Komuna e Prishtinës ka akuzuar ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, dhe partinë e tij në pushtet për bllokimin e buxhetit të Kryeqytetit.
Sipas tyre, Murati është “adresa e vetme e bllokimit” të 33 milionë eurove të Prishtinës, prej të cilave 23 milionë janë të hyra vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar.
Nënkryetari i Komunës, Shkëmb Manaj njofton se sot i ka dërguar Ministrisë së Financave një shkresë të re për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit, i cili, sipas saj, është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.
“Adresa e vetme e bllokimit të buxhetit të Prishtinës është Hekuran Murati dhe partia e tij në pushtet. Tjerat çfarë thotë ai në statuse në facebook, janë gënjeshtra të mëdha dhe tentim për ti ikur përgjegjësisë penale. Ai dhe bashkëpunëtoret e tij do të përgjigjen para drejtësisë, derisa e bllokojnë buxhetin e Prishtinës i cili është përfshirë në Ligjin për Ndarjet Buxhetore të vitit 2025.
Sot ia kemi dërguar shkresën e radhës Ministrisë së Financave për zhbllokimin e buxhetit të Kryeqytetit! 33 milion euro, prej të cilave rreth 23 milion të hyra vetanake dhe 10 milion të grantit qeveritar janë bllokuar nga Hekuran Murati me bashkëpunëtoret e tij në kundërshtim me ligjin dhe kushtetutën”, ka shkruajtur nënkryetari i LDK-së në Facebook.







