Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e të Gjitha Formave të Krimit të Organizuar Transnacional, më 10 nëntor është publikuar raporti “Indeksi Global i Krimit të Organizuar 2025”, i cili e rendit Kosovën si vendin me nivelin më të ulët të kriminalitetit në Ballkanin Perëndimor.
Ky indeks, i publikuar nga organizata Global Initiative Against Transnational Organized Crime, mat përhapjen e krimit të organizuar dhe rezistencën e shteteve ndaj tij, duke vlerësuar fusha si trafiku i drogës, i qenieve njerëzore dhe krimi kibernetik, si dhe aftësinë institucionale për t’i luftuar këto forma të krimit përmes qeverisjes, zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Sipas rezultateve për vitin 2025, Kosova vlerësohet me mesatare prej 4.85 pikësh në një shkallë nga 1 deri në 10, duke zënë vendin e parë në rajon për nivelin më të ulët të krimit dhe numrin më të vogël të viktimave në aksidentet fatale.
Policia e Kosovës thekson se kontribut kyç në këtë arritje kanë dhënë lidershipi dhe zyrtarët e saj, përmes planeve zhvillimore strategjike dhe objektivave të qarta në luftimin e të gjitha formave të krimit, që kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme ndër vite.








