Kosova, që nga fillimi i këtij viti, ka kaluar një vit plot zgjedhje: në muajin shkurt u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në tetor zgjedhjet lokale, ndërsa më 9 nëntor u zhvillua balotazhi në 18 komuna. Edhe në fund të këtij viti, pritet që të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.
Në balotazhin e 9 nëntorit, sipas rezultateve të KQZ-së, të cilat ende nuk janë certifikuar, në komunën e Mitrovicës së Jugut u shpall fitues Faton Peci, ndërsa në Obiliq fitues doli Halil Thaçi. Të dy janë aktualisht deputetë të Kuvendit.
Sipas renditjes, pas Pecit dhe Thaçit, në ulësen e Kuvendit pritet të vijë Vigan Qorrolli, i cili sipas listës së publikuar nga KQZ ka marrë 16,631 vota.
I dyti kandidat i VV-së, që pritet të betohet, është Taulant Kelmendi me 16,424 vota. Kelmendi humbi zgjedhjet për kryetar të komunës, ku mori 12,478 vota ose 38.87%.
Ndryshe, në rast se Kelmendi dhe Qorrolli bëhen deputetë të Kuvendit, ulëset e tyre në parlament mund të jenë të përkohshme, pasi fundi i vitit pritet të sjellë zgjedhje të jashtëzakonshme.







