spot_imgspot_img
spot_img

Në Hagë, Ish-këshilltari i Clark rrëfen hakmarrjet, tradhtinë dhe dhunën pas luftës në Kosovë

Ish-këshilltari i gjeneralit amerikan Wesley Clark, Michael Durkee, ka vazhduar sot dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke u ndalur në periudhën pasluftës dhe situatën në Kosovë gjatë viteve 1999–2000.

Durkee u paraqit për herë të parë para trupit gjykues pasditen e së mërkurës dhe dëshmia e tij u vazhdua të enjten. Ai foli gjerësisht për perceptimin e UNMIK-ut dhe KFOR-it mbi kthimin e refugjatëve shqiptarë pas përfundimit të luftës.

“Perceptimi im, por edhe i UNMIK-ut dhe KFOR-it, ishte që refugjatët që po ktheheshin – të dëbuar nga forcat e Millosheviqit gjatë dimrit të egër të viteve ’98–’99 – po gjenin shtëpitë dhe pronat e tyre të shkatërruara. Miqtë, shokët dhe fqinjët nuk ishin më aty. Kishte nivele të ndryshme të shkatërrimit të jetës së përditshme të shqiptarëve të Kosovës. Shumë prej tyre reaguan me ndjenja hakmarrjeje dhe mëri,” tha Durkee.

Sipas tij, shqiptarët që u kthyen pas luftës ndiheshin të tradhtuar nga ata që kishin jetuar bashkë para konfliktit.
“Ata ndiheshin se ishin tradhtuar dhe viktimizuar nga persona që ishin rritur bashkë me ta,” shtoi ai.

Durkee shtoi se pas luftës kishin nisur të funksionojnë disa grupe kriminale që kishin ekzistuar edhe më parë dhe nuk kishin lidhje të drejtpërdrejtë me UÇK-në.
“Sipas mendimit tim, disa prej këtyre grupeve kriminale kishin ekzistuar shumë kohë para nisjes së luftës. Dhuna që ndodhi pas luftës nuk lidhej domosdoshmërisht me luftën, por me konflikte mes grupeve armiqësore që përpiqeshin të zgjeronin ndikimin e tyre,” u shpreh ai, duke iu referuar informacioneve nga pjesëtarë të KFOR-it dhe UNMIK-ut.

Ish-këshilltari i Clark foli edhe për Kanunin shqiptar, duke theksuar ndikimin e traditës së nderit dhe gjakmarrjes në sjelljet e individëve gjatë pasluftës:
“Duhet bërë dallimi dhe t’i referohemi traditës së Kanunit, idesë së nderit personal dhe mbrojtjes së familjes. Në historinë e Kanunit, disa prej këtyre hakmarrjeve kanë zanafillë shumë breza më parë,” tha Durkee.

Ai gjithashtu sqaroi se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të plotë komanduese dhe komandantët lokalë vepronin në mënyrë të pavarur:
“Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe vepronin sipas gjykimit të tyre. Nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande si në ushtritë perëndimore,” tha ai.

Për pyetjen nëse Hashim Thaçi mund të ndalonte aktet e dhunës, Durkee u shpreh:
“Nuk kishte Hashim Thaçi kompetencë dhe autoritet për të ndaluar dhunën në atë kohë. Struktura e komandës ishte ende në përpjekje për t’u konsoliduar, ndërsa UÇK-ja po punonte me KFOR-in për procesin e demilitarizimit.”

Në përfundim, Durkee theksoi se qëllimi kryesor i udhëheqësve të UÇK-së ishte pavarësia e vendit:
“Siç e kemi mësuar që në takimin e parë me zotin Thaçi dhe të tjerët, objektivi i tyre kryesor ishte krijimi i një shteti të pavarur të Kosovës,” deklaroi ai.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img
spot_img

LAJME TË TJERA