​Begaj: Tensionet në veri erdhën si rrjedhojë e dhunës nga grupet kriminale

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka deklaruar se tensionimi i situatës në veri të Kosovës ka ardhur si rrjedhojë e ushtrimit të dhunës nga grupe kriminale. Sipas tij, një situatë e tillë nuk i shërben stabilitetit të rajonit i cili është në proces të integrimit.

Begaj ka theksuar rëndësinë që ka zbatimi sa më parë i marrëveshjes së dakorduar në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër.

Këto deklarata, Begaj i ka bërë pasi ka pritur në takim homologun e tij nga Estonia.

“Ndërkohë që të gjithë neve prisnim që të zhvilloheshin negociatat midis Kosovës dhe Serbisë për të ecur përpara në atë drejtim të zbatimit të asaj çfarë u dakordësua publikisht në Bruksel dhe anekseve të Ohrit, kemi pasur një tensionim të situatës. Një tensionim që ka ardhur si rrjedhojë e keqpërdorimit të popullatës serbe që jeton në veri të Kosovës dhe ushtrimit të papranueshëm të dhunës nga grupe kriminale, të cilat ushtruan dhunë ndaj qytetarëve të Kosovës, ndaj gazetarëve dhe ndaj Trupave Paqeruajtës të KFOR-it. Ndaj me ju shqetësimin që çdo sjellje, çdo qasje, çdo ngjarje e cila nuk përputhet me normat dhe me ligjet ndërkombëtare natyrisht që sjell pasoja. Sjell pasoja në radhë të parë për vetë palët që janë të përfshira, sjell pasoja për rajonin ku ndodhen këto palë dhe më tej akoma sjell pasoja dhe për komunitetin ndërkombëtar, siç është rasti konkret, një sforcim i panevojshëm i energjive dhe të komunitetit ndërkombëtar dhe i partnerëve tanë strategjikë”, ka thënë Begaj, transmeton KP.

Ai ka theksuar se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës, me KFOR-in dhe presidentë të rajonit.

“Në telefonatat e mia me autoritetet e larta të Kosovës kam shprehur mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën dhe kam vendosur theksin në domosdoshmërinë e zbatimit së marrëveshjes së dakordësuar publikisht në Bruksel dhe të anekseve të dakordësuara në Ohër. Duhet të fokusohemi tek prioritetet dhe jo tek ato që janë gjëra sekondare. E përsëris që për mua sovraniteti dhe integriteti i Republikës së Kosovës është i padiskutueshëm nëse ndërtimi i institucioneve demokratike atje është gjithashtu i domosdoshëm. Për të ardhur te qëndrimi për zhbllokimin e situatës, unë kam bërë një thirrje vëllazërore për autoritetet e Kosovës që në këtë situatë duhet të kenë durim, duhet të kenë maturi dhe duhet të dëgjojnë dhe të koordinohen me partnerët tanë strategjik. Dhuna nuk është zgjidhja, konflikti i dhunshëm nuk duhet të jetë asnjëherë opsion, i vetmi opsion për zgjidhje është dialogu”, ka thënë presidenti i Shqipërisë.

Në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, serbët po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, si dhe praninë e Policisë së Kosovës.

Si pasojë e veprimeve të protestuesve kanë mbetur të lënduar disa policë dhe pjesëtarë të KFOR-it. Gjithashtu, janë djegur dhe dëmtuar vetura të Policisë së Kosovës dhe të mediave.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë.

Ky veprim i institucioneve të Kosovës është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian derisa kanë kërkuar shtensionim të menjëhershëm të situatës në veri.

Javën që shkoi, u bë e ditur kërkesa e ndërkombëtarëve për zgjedhje të reja në katër komunat veriore të Kosovës.

Të hënën dhe të martën në Prishtinë kanë qëndruar emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak dhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar.

Në takimin e zhvilluar me kryeministrin Albin Kurti, ata kanë paraqitur një propozim me tri elemente. I pari është de-eskalimi i situatës në terren në tri komunat veriore, pastaj zgjedhje të shpejta në këto komuna si dhe rikthimi në dialog.

Pas takimit, të dy deklaruan se faktori ndërkombëtar është unik në këto kërkesa dhe shpresojnë se të njëjtat do të dëgjohen.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA