Drama për ish-yllin e NFL-së, Antonio Brown, ai tashmë ka hyrë në një kapitull të ri e famëkeq. Futbollisti i famshëm është rikthyer në Miami, por këtë herë jo për lavdi, por për t’u përballur me akuza të rënda për tentativë vrasjeje.
Burime nga mediat amerikane raportojnë se Brown është i përfshirë në një incident të armatosur që ndodhi në maj të këtij viti, gjatë një eventi boksi për personazhe të njohur në zonën “Little Haiti” të Miamit. Sipas hetimeve, një debat mes Brown dhe një burri të quajtur Zul-Qarnain Kwame Nantambu ka përfunduar me të shtëna armësh. Një plumb mendohet se e ka prekur viktimën në qafë.
Pas ngjarjes, autoritetet lëshuan një urdhër arresti, por Brown është larguar drejt Dubait. Ai u gjet disa muaj më vonë dhe u ekstradua në SHBA, ku më pas u transferua në Miami. Me mbërritjen në aeroport, ai është shoqëruar nga policia drejt Turner Guilford Knight Correctional Center dhe është fotografuar për një foto zyrtare që tashmë po qarkullon gjerësisht në rrjete sociale.
Në seancën e parë gjyqësore, Brown u deklarua i pafajshëm, ndërsa avokati i tij tha se ish-lojtari ka vepruar në vetëmbrojtje. “Antonio u sulmua dhe veproi për të mbrojtur jetën e tij”, tha për mediet mbrojtësi ligjor Mark Eiglarsh.
Nëse shpallet fajtor, ai përballet me deri në 15 vite burg dhe një gjobë që mund të arrijë 10,000 dollarë. Prokurorët pritet të fokusohen në mënyrën si u përdor arma dhe nëse Brown kishte arsye të besonte se ishte në rrezik, sipas ligjit të Floridës “Stand Your Ground”.
Një gjë është e qartë: për një sportist që dikur mahniste me 928 pasime të pranuara dhe mbi 12,000 jardë, ky është një kthim dramatik në qendër të vëmendjes, por këtë herë, në një arenë shumë ndryshe e famëkeqe.
Nga fusha e futbollit te banka e të akuzuarve, Antonio Brown po përjeton një ndeshje që mund të vendosë jo vetëm të ardhmen e tij, por edhe mënyrën se si do të mbahet mend nga publiku përgjithmonë…







