Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar të martën se Franca do të ndihmojë Autoritetin Palestinez në hartimin e një kushtetute për një shtet të ardhshëm palestinez, pas bisedimeve me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas në Paris.
Një numër vendesh të mëdha perëndimore, përfshirë Francën, kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez në shtator, një veprim i nxitur nga frustrimi me Izraelin për luftën e tij shkatërruese në Gazë dhe dëshira për të promovuar një zgjidhje me dy shtete për konfliktin e Lindjes së Mesme.
Armëpushimi Izrael-Hamas, i ndërmjetësuar nga SHBA-ja, ka hyrë në fuqi në tetor, por Izraeli ka hedhur poshtë çdo perspektivë të shtetësisë palestineze.
Macron ka theksuar se Franca dhe Autoriteti Palestinez, i cili ushtron vetëqeverisje të kufizuar nën pushtimin ushtarak izraelit në Bregun Perëndimor, do të krijojnë një komitet të përbashkët për hartimin e një kushtetute të re palestineze.
“Ky komitet do të jetë përgjegjës për të punuar në të gjitha aspektet ligjore: kushtetuese, institucionale dhe organizative,” tha ai.
“Do të kontribuoj në punën e zhvillimit të një kushtetute të re, një draft të së cilës presidenti Abbas ma ka paraqitur mua, dhe do të synoj të finalizoj të gjitha kushtet për një shtet të tillë të Palestinës,” shtoi Macron.
Ai gjithashtu bëri të ditur se Franca do të kontribuojë me 100 milionë euro në ndihmë humanitare për Gazën për vitin 2025.
Vendimi i Francës, së bashku me Britaninë, Kanadanë dhe Australinë për të njohur shtetin palestinez, i bashkoi këto vende me mbi 140 të tjera që mbështesin aspiratën e palestinezëve për një atdhe të pavarur nga territoret e pushtuara nga Izraeli.
Megjithatë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka dënuar këtë valë njohjesh, duke theksuar qëndrimin e aleatit të ngushtë të Izraelit se një veprim i tillë do të ishte shpërblim për Hamasi pas sulmit të 7 tetorit 2023 që shkaktoi luftën në Gazë.







