Një aksident i rëndë ka ndodhur sot në fshatin Dobërdelan të Suharekës, ku një 58-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime të rënda trupore. Ngjarja ndodhi rreth orës 11:25 në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin dhe përfshiu një automjet dhe një kamion.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, konfirmoi se e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.
“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, tha Bytyqi.
Ai shtoi se menjëherë pas raportimit të rastit, njësitet policore kanë dalë në vendngjarje, kanë siguruar perimetrin dhe po kryejnë hetimet për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Policia apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit për të parandaluar aksidente dhe për të ruajtur jetën e qytetarëve.







