Bashkim Zeqiri është emëruar Konsull Nderi dhe udhëheqës i Konsullatës së Lituanisë në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Zeqiri përmes një postimi në profilin e tij në LinkedIn, ku ka ndarë emocionet dhe mirënjohjen për këtë detyrë të re.
“Jam i nderuar të ndaj me ju lajmin se jam emëruar nga Shkëlqesia e Tij, Kęstutis Budrys, Ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Lituanisë, si Konsull Nderi dhe Kryetar i Konsullatës së Republikës së Lituanisë në Kosovë. Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë ndaj Ambasadorit Eduardas Borisovas për angazhimin dhe kontributin e tij të madh në forcimin e marrëdhënieve midis Lituanisë dhe Kosovës duke iniciuar dhe promovuar hapjen e Zyrës Konsullore në Kosovë,” ka shkruar Zeqiri.
Ai ka njoftuar gjithashtu se Konsullata e Lituanisë në Kosovë do të fillojë së shpejti me ofrimin e shërbimeve për qytetarët dhe bizneset.
“Konsullata e Republikës së Lituanisë në Kosovë së shpejti do të fillojë të ofrojë shërbime që synojnë promovimin e bashkëpunimit ekonomik, kulturor dhe arsimor midis dy vendeve tona,” ka shtuar ai.
Ky emërim shihet si një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Lituanisë, duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi në fusha të ndryshme.







