Kampioni i Kosovës, Drita, ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm, këtë herë në ranglistën e UEFA-së, pas paraqitjeve mbresëlënëse në UEFA Conference League.
Klubi gjilanas u bë ekipi i parë kosovar që arrin kuotën e pesë pikëve në fazën e grupeve të një gare evropiane, rezultat që ka ndikuar drejtpërdrejt në ngritjen e tij në renditjen kontinentale.
Falë këtij progresi, Drita ka kaluar rivalin e saj të drejtpërdrejtë, Ballkanin, duke u pozicionuar tani në vendin e 151-të në klasifikimin e klubeve të UEFA-së.
Nga ana tjetër, Ballkani i Suharekës mban pozitën e 160-të, duke qenë i dyti ndër klubet kosovare.
Në vazhdim të listës, Prishtina renditet në pozitën e 336-të, ndërsa Llapi në 341-tën.
Në pjesën e poshtme të renditjes ndodhen Malisheva (367), Dukagjini (368) dhe Gjilani (369).
Ky sukses i ‘Intelektualëve’ është një tjetër dëshmi e rritjes së futbollit kosovar në arenën evropiane, si në aspektin sportiv ashtu edhe në koeficientet e UEFA-së. /ATVLIVE.TV








