Reagon Prishtina, ndjehet e tradhtuar nga “Plisat”

Këtë të hëne skuadra e Prishtinës e fitoi Kupën e Kosovës, pasi që në finale e mposhti Gjilanin me rezultat solid 2:0.

Ndeshja ishte e zjarrtë, ndërsa nuk munguan edhe problemet nga tifozët, veçanërisht nga tifo-grupi “Plisat” e Prishtinës, raporton KosovaPress.

Gjatë tërë ndeshjes “Plisat” nuk treguan përkrahje ndaj lojtarëve që përfaqësojnë ekipin e Prishtinës, por brohorisnin vazhdimisht kundër bordit të klubit kryeqytetas.

Tani, Prishtina përmes një njoftimi zyrtarë ka sqaruar ngjarjet që e përcollën finalen kundër Gjilanit, duke theksuar se ndihet e tradhtuar nga tifo-grupi i klubit.

“Për Prishtinën, suksesi ishte jetik. Fatkeqësisht, tifozët tanë në tribunën jugore, jo që nuk përkrahen për asnjë minutë djemtë e ekipit, por ata as nuk qëndruar për t’i përshëndetur futbollistët apo për t’iu gëzuar triumfit. Kjo do të duhej të ishte primare për një grup tifozësh, nëse vetëm kanë harruar qëllimin për çka shërbejnë. Iu kemi dalë në ndihmë duke iu blerë bileta dhe duke iu financuar fishekzjarrët dhe koreografinë, por klubi u ndje i tradhëtuar”, shkruante Prishtina në njoftim.

Më tej, Prishtina zbuloi se kjo koreografi nga “Plisat” ishte e paralajmëruar, dhe se kjo gjë ishte bërë e ditur nga një aksionar aktual i klubit në televizion, për të cilin gjiganti kosovar nuk kishte fjalë të mira

“Paraprakisht kishim paralajmërime dhe njohuri që e njëjta do të ndodhte dhe për ironi kjo u paralajmërua nga një aksionar aktual i klubit në televizion. Natyrisht, ky aksionar ka harruar ndërkohë që është pjesë e klubit, edhe sepse aktualisht paguhet nga FFK dhe i njëjti për 18 vite sa është aksionar jo vetëm që nuk ka kontribuar asnjë cent në arkën e klubit, por nuk e mban mend askush të ketë blerë një biletë të vetme për të parë ndonjë ndeshje futbolli në ‘Fadil Vokrri’. Ne si klub, me shkas nuk vendosëm të reagonim para ndeshjes, duke mos dashur të besojmë se një gjë e tillë do të ndodhte. Megjithatë ndodhi dhe atë në formën më brutale të mundshme”, shkruante në komunikatën e Prishtinës.

Po ashtu, Prishtina ka bërë të ditur se ka dërguar ankesë në KAS të KOK-ut sa i përket licencimit të klubit për gara evropiane.

“Ne duam të ju njoftojmë që klubi ka dërguar ankesën për licencim në KAS të KOK-ut. Siç e dini, FC Prishtina është klubi i parë i licencuar në Ministrinë e Sportit, por të njëjtat kritere sipas FFK-së ne nuk i plotësuakam për të garuar në Evropë. Për ne nuk vlejnë rregullat e njëjta ashtu siç vlejnë për klubet tjera.

Këto metoda i kemi parë edhe më herët, ia kemi dalë atëherë, do t’ia dalim edhe tani. Por, të bashkuar do t’ia dalim edhe më lehtë. Andaj, skuadrës sonë, i duhet përkrahja juaj më shumë se kurrë më parë. Kemi fituar Kupën e Republikës, e cila na mundëson të luftojmë për të drejtën tonë për ta përfaqësuar vendin në garat e UEFA-së. Dhe nga kjo nuk do të heqim dorë lehtë”, shkruante në komunikatën e Prishtinës.

spot_imgspot_img
Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të ATVLIVE.TV në Viber.

Bëni Subscribe në kanalin zyrtar të ATV-së në YouTube – Kliko KËTU

LAJME TË TJERA

spot_img
spot_img

PUBLIKUAR SË FUNDI

spot_img

LAJME TË TJERA