Kombëtarja U17 e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka arritur një tjetër sukses të madh, duke siguruar kalimin në Ligën A për fazën kualifikuese të Kampionatit Evropian 2026.
Të përzgjedhurat e Sanije Krasniqit e përfunduan ciklin kualifikues në vendin e dytë të Grupit B në Ligën B, me pikë të barabarta me Uellsin. Kombëtarja uellsiane u kualifikua direkt si fituese e grupit falë golavarazhit më të mirë, ndërsa Kosova ruajti shpresat për kualifikim përmes renditjes si e dyta më e mirë në të gjitha grupet e Ligës B — gjë që u zyrtarizua sot, pas humbjes së Sllovenisë ndaj Islandës (0:3).
Dardanet U17 shfaqën paraqitje mbresëlënëse gjatë ciklit të zhvilluar muajin e kaluar në Moldavi, duke mposhtur Moldavinë (1:0) dhe Azerbajxhanin (6:0), si dhe barazuar me Uellsin (1:1) në sfidën vendimtare për kreun e grupit.
Kësisoj, Kosova U17 (vajza) për herë të katërt radhazi arrin të ngjitet nga Liga B në Ligën A, një dëshmi e qartë e progresit të qëndrueshëm të futbollit të vajzave në vend dhe e punës së përkushtuar të stafit teknik dhe lojtareve të reja dardane. /ATVLIVE.TV







