Udhëtimi i Orges Shehit me skuadrën e Ballkanit duket se do të zgjasë vetëm një vit.
Edhe pse zyrtarizimi ende mungon, trajneri durrsak i ka njoftuar drejtuesit e klubit nga Suhareka, pak ditë para ndeshjes me Drenicën, se do të largohet nga ekipi pas përfundimit të fazës aktuale, në dhjetor të këtij viti.
Shehi ka drejtuar Ballkanin në 34 ndeshje, me një bilanc prej 16 fitoreve, 11 barazimeve dhe 7 humbjeve. Megjithëse rezultatet kanë qenë të qëndrueshme, duket se trajneri nuk e ndien më veten në kushtet optimale për të vazhduar projektin me klubin që ka bërë histori në futbollin e Kosovës gjatë pesë viteve të fundit — sidomos me pjesëmarrjet historike në kupat e Europës nën
drejtimin e Ilir Dajës.
Ndërkohë, interesimi për Shehin është i madh. Tirana, Partizani dhe Teuta janë në pritje të një përgjigjeje nga ai për të përcaktuar të ardhmen e tyre në stol. /ATVLIVE.TV






