Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të hënën se vendi i tij do të ballafaqohej me katastrofë ekonomike dhe të sigurisë kombëtare, nëse Gjykata Supreme merr vendim kundër përdorimit të një ligji për kompetenca urgjente nga ai për vendosjen e taksave kundër pothuajse secilit shtet tjetër.
Trump tha se administrata e tij planifikon të lëshojë një pagesë prej 2.000 dollarësh për amerikanët me të ardhura të ulëta dhe të mesme, duke i shfrytëzuar përfitimet nga taksat, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për ta ulur borxhin publik të ShBA-së, raporton “Reuters”.
Presidenti amerikan, i cili më parë e ka përmendur idenë e përdorimit të të hyrave nga taksat për t’u dhënë një “dividendë” amerikanëve me të ardhura më të ulëta, e përsëriti atë në një shkrim në rrjetin “Truth Social” të dielën, si dhe gjatë komenteve para gazetarëve në Zyrën Ovale të hënën.
“Ne do t’u lëshojmë një dividendë njerëzve tanë me të ardhura të mesme dhe të ulëta – rreth 2.000 dollarë – dhe do t’i shfrytëzojmë taksat e mbetura për ta ulur borxhin tonë”, tha Trump në ceremoninë e emërimit të ambasadorit të ri amerikan në Indi, Sergio Gor.
Mbështetja për Trumpin në sondazhe është dobësuar muajve të fundit, në kohën e shtimit të shqetësimeve për gjendjen e ekonomisë dhe zemërimit të vazhdueshëm për inflacionin.







