Me disa hapa të thjeshtë, xhaketa e dimrit mund të duket si e sapoblerë – pa kimikate, pa dëm dhe pa humbur butësinë
Xhaketat e dimrit janë ndër rrobat që lahen më rrallë. Zakonisht i mbajmë për muaj të tërë, pastaj i varim në dollap dhe bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë. Por sapo të fillojë të ftohtë, kuptojmë se xhaketa ende mban aromën e dimrit të kaluar, të transportit publik dhe të gjithë një sezoni të jetës.
Lajmi i mirë është se shumica e xhaketave të dimrit mund të lahen në shtëpi, pa frikën se mbushja do të ngjitet ose do të humbasë formën. Mjafton të bëni disa gjëra ndryshe.
Larja e xhaketës së dimrit kërkon ndjekjen e këtyre hapave
Së pari, kontrolloni etiketën. Nëse shkruan se xhaketa është e mbushur me pupla ose mikrofibër, kjo do të thotë se mund të lahet në rrobalarëse, por jo në program agresiv. Zgjidhni programin për rroba delikate ose larje me dorë, me ujë të vakët. Mos përdorni pluhur larës, por detergjent të lëngshëm, sepse pluhuri ngjitet pas mbushjes dhe krijon toptha, transmeton Telegrafi.
Problemi më i madh nuk është larja, por tharja
Nëse xhaketa thjesht vendoset mbi radiator apo në teshat e lagura, mbushja mbetet e ngjitur dhe xhaketa duket e hollë, si të ishte veshur për pesë dimra me radhë. Pikërisht për këtë ekziston truku me topat e tenisit. Kur e thani xhaketën në makinë tharëse, futni dy deri në tre topa tenisi të pastër bashkë me të. Ndërsa daullja rrotullohet, topat godasin xhaketën dhe e shpërndajnë mbushjen, duke i rikthyer vëllimin dhe butësinë. Rezultati: një xhaketë që duket si e sapoblerë.
Nëse nuk keni makinë tharëse, shtrijeni xhaketën në sipërfaqe të sheshtë, mbi një peshqir të thatë. Çdo gjysmë ore tundeni me dorë, sidomos pjesën e kapuçit dhe shpatullave. Nuk është proces i shpejtë, por funksionon në mënyrë të përkryer.
Gabimi më i zakonshëm gjatë larjes së xhaketës së dimrit
Gabimi më i madh është përdorimi i ujit të nxehtë dhe varja e xhaketës direkt mbi radiator. Nxehtësia dëmton materialin dhe rrëzon mbushjen, duke e bërë xhaketën të duket e përdorur dhe pa formë. Pak durim bën diferencën mes një xhakete që duket e lodhur dhe një xhakete që duket si e re.
Xhaketa e dimrit është mbrojtje, është ngrohtësi, është strehë kur gjithçka përreth ngrin. Vlen t’i kushtoni gjysmë ore kujdes, sepse ajo ua kthehet me ngrohtësi gjatë gjithë dimrit. /Telegrafi/







