Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, ka folur për çështjen e shpërblimeve që mund të marrin futbollistët në rast se ekipi arrin kualifikimin në fazën “play-off” të Botërorit 2026.
Në konferencën për media, i pyetur nga KosovaPress, Shala theksoi se edhe pse do të ketë shpërblime nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), tema e bonuseve aktualisht nuk është në qendër të diskutimeve, pasi vëmendja e skuadrës është e gjitha e përqendruar te objektivi sportiv.
“Këto janë çështje që janë sqaruar me futbollistët dhe stafin para fillimit të fushatës kualifikuese. Besoj se asnjëri prej tyre nuk e ka mendjen te bonusi që mund të marrë, por te ëndrra që mund të realizojë për veten dhe për popullin e Kosovës. Natyrisht që do të ketë shpërblime nga Federata në rast kualifikimi — këtë e ka sqaruar presidenti me lojtarët — por aktualisht nuk është temë që diskutohet,” – deklaroi Shala.
Kosova ndodhet shumë pranë fazës së play-off-it, teksa i mjafton të sigurojë të paktën një pikë në ndeshjen e 15 nëntorit ndaj Sllovenisë për të mbajtur gjallë ëndrrën e pjesëmarrjes në Botërorin 2026. /ATVLIVE.TV







