Ditën e sotme Izraeli ka kthyer trupat e 15 palestinezëve në Rripin e Gazës.
Kështu u tha nga zyrtarë të spitalit në territorin palestinez.
Ky veprim u bë një ditë pasi militantët palestinezë i dorëzuan Izraelit trupin e një pengu, sipas marrëveshjes së armëpushimit të brishtë që është në fuqi pas dy vitesh lufte, raporton AP.
Marrëveshja ishte kështu, Izraeli kthen trupat e 15 palestinezëve për çdo peng izraelit që i dorëzohet.
Spitali “Nasser” në qytetin Khan Younis konfirmoi se 15 trupat e pajetë u sollën atje.
Ky kthim ndodhi pak pasi Izraeli konfirmoi se mbetjet e marra të premten në mbrëmje i përkisnin një izraeliti që kishte vdekur duke luftuar kundër Hamasit gjatë sulmit të 7 tetorit 2023, sulm që shënoi edhe fillimin e luftës.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se trupi ishte i Lior Rudaeffit.
Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 10 tetor, militantët palestinezë kanë kthyer trupat e 23 pengjeve, përfshirë edhe atë të Rudaeffit, ndërsa pesë trupa të tjerë mbeten ende në Gazë.
Duke përfshirë edhe trupat e kthyer të shtunën, Izraeli ka dorëzuar gjithsej trupat e 300 palestinezëve.
Zyrtarët e shëndetësisë në Gazë kanë hasur vështirësi në identifikimin e tyre për shkak të mungesës së pajisjeve për analiza ADN-je dhe deri më tani kanë arritur të identifikojnë vetëm 89 prej tyre, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.







