Presidenti amerikan Donald Trump ka përjashtuar Hungarinë nga sanksionet energjetike ndaj Rusisë për një periudhë njëvjeçare, për shkak të varësisë së vendit nga importet e naftës dhe gazit rus, ka konfirmuar një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.
Vendimi erdhi pas takimit të Trump me kryeministrin hungarez Viktor Orban në Uashington, ku të dy udhëheqësit diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe çështjet e sigurisë energjetike.
Trump deklaroi se po shqyrtonte “një pagesë” për Orbanin, duke e cilësuar situatën energjetike të Hungarisë “shumë të vështirë”, pasi vendi nuk ka dalje në det dhe është i varur nga furnizimet ruse.
Pas takimit, ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó njoftoi në rrjetin X se SHBA-të i kishin dhënë Budapestit “një përjashtim të plotë dhe të pakufizuar nga sanksionet mbi naftën dhe gazin”.
Ky përjashtim përbën një fitore të rëndësishme për Orbanin, i cili më herët kishte paralajmëruar se sanksionet do të dëmtonin rëndë ekonominë hungareze.
Vendimi vjen disa javë pasi SHBA kishin sanksionuar dy nga kompanitë më të mëdha ruse të naftës, duke paralajmëruar ndëshkime për vendet që vazhdojnë të blejnë prej tyre.







