Princesha Eugenie ka bërë paraqitjen e saj të parë publike që prej se babai i saj, Princi Andrew, u privua nga të gjithë titujt dhe nderimet mbretërore dhe prania e saj ka tërhequr vëmendje të madhe në mediat britanike.
Eugenie, 35 vjeç, u pa të martën në West London së bashku me bashkëshortin e saj, Jack Brooksbank. Çifti zgjodhi një dalje të thjeshtë dhe pa bujë: ajo kishte veshur xhinse të zeza, çizme kadifeje dhe një bluzë minimaliste, ndërsa Jack mbante një kapuç sportiv “Las Vegas Raiders”.
Dalja e saj vjen vetëm disa ditë pas njoftimit nga Pallati Buckingham se Princi Andrew do të largohej nga Royal Lodge dhe do të hiqte dorë nga të gjithë titujt zyrtarë, pas lidhjeve të tij me famkeqin Jeffrey Epstein.
Megjithëse as Eugenie dhe as motra e saj Beatrice nuk kanë komentuar publikisht për skandalin, praqitja e fundit shihet si një përpjekje për të treguar qetësi dhe normalitet në mes të krizës familjare. Sipas burimeve pranë pallatit, Mbreti Charles III synon të mbrojë vajzat e Andrew-t nga ndikimet e këtij vendimi, duke u siguruar që ato të ruajnë rolin e tyre publik.
Për Eugenie, e cila është nënë e dy fëmijëve dhe përpiqet të balancojë jetën private me angazhimet publike, kjo paraqitje simbolizon qetësinë dhe forcën në mes të turbulencave mbretërore. Ndërsa babai i saj përballet me pasojat, princesha duket e vendosur të vazhdojë jetën sipas rregullave të saj, me dinjitet dhe pa bujë.








