Gjimnastja më e suksesshme në histori, Simone Biles, e cila numëron shtatë medalje të arta olimpike dhe 23 tituj botërorë, ka zbuluar detaje për jetën e saj pas triumfit në Lojërat Olimpike të Parisit 2024.
Pas suksesit madhështor në Paris, 28-vjeçarja amerikane vendosi të marrë një pushim nga garat për t’u rikuperuar fizikisht dhe mendërisht, duke munguar edhe në Kampionatin Botëror në Xhakarta.
Në një intervistë për “E! News”, Biles tregoi se gjatë këtij pushimi iu nënshtrua tre ndërhyrjeve kozmetike: zmadhimit të gjoksit, blefaroplastikës së poshtme (korrigjimi i qeseve nën sy) dhe korrigjimit të veshit.
Ajo shpjegoi arsyet pas vendimit të saj:
“Kisha qese të shëmtuara nën sy dhe kur isha më e re, veshi im u shqye kur dikush hoqi një vath. Tani ndihem më mirë me veten time dhe jam e lumtur me rezultatet.”
Edhe pse nuk ka konfirmuar nëse do të vazhdojë karrierën deri në Lojërat Olimpike të Los Angeles 2028, Biles la të hapur mundësinë e një rikthimi:
“Do të jem në Lojëra në një mënyrë apo tjetër, nuk e di nëse si garuese apo si spektatore.”
Simone Biles mbetet një ikonë e sportit botëror dhe një shembull i balancës midis suksesit, kujdesit për shëndetin mendor dhe vetëbesimit personal.







