Europa League, gara e dytë më e rëndësishme në kontinent, rikthehet sot me emocionet e raundit të katërt të fazës së grupeve.
Ndeshjet do të zhvillohen në dy orare tradicionale, 18:45 dhe 21:00, duke ofruar duele vendimtare për objektivat e çdo skuadre.
Në Glasgow, Rangers presin Romën në një takim me shumë presion për të dyja ekipet. Verdhekuqtë vijnë pas dy humbjeve radhazi dhe kërkojnë rikthimin te fitorja, ndërsa skocezët ndodhen në fund të tabelës me tri humbje. Nedim Bajrami nuk pritet të luajë me Rangers, ndërsa Roma udhëton e dëmtuar rëndë: mungojnë Dybala, Angelino, Bailey, Baldanzi, Ferguson dhe Vasquez.
Një tjetër përballje interesante zhvillohet në “Maksimir”, ku Dinamo e Zagrebit përballet me Celta Vigon. Për kroatët, Arbër Hoxha pritet të nisë si titullar.
Bologna do të presë Brann-in në “Dall’Ara”, Stuttgart sfidon Feyenoord-in, ndërsa Betis do të përballet me Lyon-in në një duel të rëndësishëm për kualifikimin. /ATVLIVE.TV







