Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar koalicionin VLEN për fitoret në zgjedhjet lokale në Maqedoninë e Veriut.
Ai theksoi se ky sukses konfirmon vullnetin për ndryshim dhe se gjatë qeverisjes së VLEN, Kosova dhe Maqedonia e Veriut kanë thelluar raportet fqinjësore si kurrë më parë.
Përmes një postimi në facebook, Kurti theksoi se gjatë 15 muajve në pushtet, VLEN ka qeverisur “me duar të pastra, pa korrupsion e skandale”, duke sjellë dallim etik nga qeverisjet e kaluara.
Kjo frymë ndryshimi, shtoi ai, ka sjellë bashkëpunim konkret, përfshirë takimin e dy qeverive dhe menaxhimin e përbashkët të kufirit. Kurti deklaroi se Qeveria e Kosovës i mirëpret këto zhvillime demokratike si dëshmi të perspektivës evropiane të aleatit fqinj.







