Në ditën e tretë të fushatës për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, kryetari aktual dhe kandidati i PDK-së për një mandat të dytë në Prizren, Shaqir Totaj, ka vizituar një numër biznesesh nga Muzeu “Nënë Tereza” deri te Spitali i qytetit.
Ai tha se mbështetja për bizneset vendore do të jetë një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij të ardhshme dhe se zhvillimi ekonomik dhe hapja e vendeve të reja të punës janë ndër synimet kryesore, duke shtuar se bashkëpunimi me sektorin privat do të jetë çelësi për një Prizren më të fortë ekonomikisht.
Në Dragash, kandidati i PDK-së Shaban Shabani zhvilloi takim me banorët e fshatit Brrut, ku tha se mbështetja që po merr çdo ditë është tregues i besimit për ndryshime konkrete në komunë.
Nga Kaçaniku, kryetari aktual dhe kandidati, Sabedin Vishi, njoftoi përgatitjet për tubimin përmbyllës të fushatës, ku pritet të prezantohet programi I tij për katër vitet e ardhshme.
Në Mitrovicë, kandidati për kryetar Arian Tahiri ka vazhduar takimet me qytetarë e biznese.
Ai poashtu mori pjesë edhe në një panair artizanal të grave të Mitrovicës, ku tha se mbështetja për gratë dhe fuqizimi i tyre ekonomik do të jenë shtylla të zhvillimit lokal.
Ndërkohë, në Vushtrri, kryetari aktual dhe kandidati për një mandat të ri, Ferit Idrizi, takoi banorët e Studimes së Poshtme. Idrizi u zotua për vazhdimësinë e projekteve të nisura dhe për përmirësimin e infrastrukturës lokale teksa tha se banorët po e mbështesin punën e mirëfilltë e të përkushtuar që ka nisur gjatë mandatit të pare.
Në Klinë, kandidati Sokol Bashota ka paralajmëruar tubimin përmbyllës të fushatës që do të mbahet më 6 nëntor në Qendrën e Kulturës “Jehona e Dukagjinit”, ku do të marrë pjesë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.







