Drejtori i Emergjencës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla, ka bërë të ditur se gjendja e zyrtarit të Bashkimit Evropian, i cili u plagos rëndë me mjet të mprehtë, është stabile.
Syla tha se i plagosuri është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm.
“Gjendja e tij është stabile. Është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”, u shpreh drejtori Syla.
Viktima, rreth 49-vjeçar, i cili gëzon imunitet diplomatik, është transportuar nga Gjakova në QKUK për shkak të plagëve të rënda që mori. Ai fillimisht ishte paraqitur më 4 nëntor në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, ku mjekët konfirmuan se kishte dy plagë shpuese — një në qafë dhe një në gjoks.
Për shkak të gjendjes së tij, ai nuk ka qenë në gjendje të japë deklaratë para autoriteteve.
Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për rastin, të cilin e ka cilësuar si “vrasje në tentativë”.
Ende nuk dihen rrethanat e sakta të ngjarjes dhe vendndodhja e saktë ku ka ndodhur plagosja.







