Një grua e cila u aksidentua më 1 nëntor në rrugën “Nëna Terezë” në Fushë Kosovë, ka ndërruar jetë pas lëndimeve të rënda që mori gjatë aksidentit. Ajo ishte duke u trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), por që nuk ka arritur të mbijetojë nga plagët e marra.
Sipas raportit të Policisë, aksidenti ka ndodhur më datën 1 nëntor 2025 rreth orës 21:50, dhe viktima ka qëndruar për disa ditë në spital për trajtim mjekësor. Pas 3 ditësh, më 4 nëntor, ajo ka ndërruar jetë.
“Lidhur me rastin është raportuar se viktima femër kosovare, e cila ka qenë duke u trajtuar në QKUK, me datë 04.11.2025 ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin e policisë.
Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.







