Njësitë operative të Doganës së Kosovës, gjatë një aksioni në magjistralen Prishtinë – Ferizaj, kanë arritur të identifikojnë dhe ndalojnë një veturë të dyshimtë që përdorej për shpërndarjen e paligjshme të mallrave të kontrabanduara.
Sipas njoftimit, gjatë kontrollit të automjetit, oficerët doganorë kanë gjetur rreth 100 paketime të produkteve Botox dhe Filler, pa origjinë dhe pa dokumentacion përcjellës, me vlerë të përgjithshme prej 9,479.49 euro.
“Hetimet e para tregojnë se këto produkte janë futur në Kosovë përmes rrugëve ilegale, duke shmangur kontrollin doganor dhe pa respektuar kushtet e ruajtjes që kërkohen për produktet e këtij lloji”, thuhet në njoftim.
Më tej Dogana e Kosovës njofton se për shkak të natyrës së ndjeshme të këtyre produkteve, përdorimi i tyre paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasi ato nuk janë testuar, nuk kanë certifikim ligjor dhe janë ruajtur në kushte të papërshtatshme.
“Dogana e Kosovës do të vazhdojë me procedurat hetimore në bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe apelon te qytetarët që të shmangin blerjen e produkteve të tilla të pasigurta dhe të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë që lidhet me kontrabandën dhe tregtinë ilegale”, thuhet në njoftim.







