Pas më shumë se tre vitesh përplasje ligjore, Xherdan Shaqiri, ka marrë më në fund lejen për të ndërtuar vilën e tij luksoze në Rheinfelden, në kantonin e Aargaut.
Vendimi përfundimtar u mor nga Gjykata Administrative e Aargaut, e cila i dha dritën jeshile projektit pas ndërhyrjes së Gjykatës Federale Zvicerane.
Në gusht të vitit 2022, ylli i Baselit kishte marrë fillimisht lejen për ndërtimin e vilës, e cila vlerësohet në rreth 3 milionë franga zvicerane, por kundërshtimet e disa fqinjëve e kishin bllokuar projektin.
Në janar të vitit 2024, Gjykata Administrative ia kishte revokuar lejen e ndërtimit, duke detyruar Shaqirin ta çojë çështjen në Gjykatën Federale.
Në pranverë, gjykata më e lartë e vendit e rrëzoi këtë vendim, duke e cilësuar si të pabazuar dhe duke kërkuar rishqyrtim të çështjes.
Tani, gjykata e Aargaut ka miratuar projektin, por me disa kushte, ndër to, detyrimi për të vendosur perde në dritare për të reduktuar ndotjen e dritës për banorët gjatë natës.
Edhe pse fqinjët fituan këtë detaj të vogël, ata konsiderohen pala humbëse, pasi janë urdhëruar të paguajnë 7,777 franga për shpenzime gjyqësore, si dhe 6,600 franga Shaqirit dhe 4,125 franga komunës së Rheinfeldenit si kompensim.
Shaqiri, që u rikthye te Baseli në verën e vitit 2024, ka shkëlqyer që në sezonin e parë duke fituar dopietën kombëtare të trofeve. /ATVLIVE.TV







