Policia e Kosovës ka njoftuar se po heton dy raste vdekjesh që kanë ndodhur të hënën në qytetet e Prishtinës dhe Gjakovës.
Sipas raportit zyrtar, rasti i parë është regjistruar në Prishtinë, rreth orës 14:40, ku një grua kosovare ka humbur jetën pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.
“Është raportuar se viktimës femër kosovare, pasi i ishte keqësuar gjendja shëndetësore, është ftuar ambulanca, e cila e ka dërguar në QKUK, ku më pas ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion,” thuhet në raportin e policisë.
Ndërkohë, një tjetër rast i ngjashëm është raportuar në Gjakovë, rreth orës 15:00, ku një burrë kosovar ka ndërruar jetë në spitalin rajonal. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e të dyja vdekjeve.







