Lëvizja Vetëvendosje ka hapur sot zyrtarisht fushatën për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, që do të kulmojë më 9 nëntor.
Në Prishtinë, kandidati Hajrulla Çeku u takua me banorët e Mramorit për të diskutuar problemet bazike dhe potencialin turistik të zonës, duke promovuar projektin “10 fshatrat” për zhvillim rural dhe agroturizëm.
Në Gjakovë, kandidati Ardian Gola tha se kjo javë është vendimtare për qytetarët që kërkojnë ndryshim teksa prezantoi vizionin e tij për Gjakovën e së nesërmës.
Në Gjilan, kryetari aktual dhe kandidati për mandat të dytë, Alban Hyseni premtoi ndërtimin e një strehimoreje të re për të mbijetuarat e dhunës në familje, subvencionim të pagave për gratë që kërkojnë punë, si dhe bursa studimore për vajzat dhe gratë studente.
Në Kaçanik, kandidati Jeton Raka falënderoi qytetarët për mbështetjen në raundin e parë dhe ftoi për mobilizim të plotë në balotazh.
Në Mitrovicë, kandidati Faton Peci ndau një video-mesazh nga ku premtoi takim e komunikim të drejtpërdrejtë me banorët në çdo lagje dhe fshat për të rikonfirmuar fitoren më 9 nëntor.
Kandidati, Halil Thaçi mbajti një tubim në Obiliq ku mori pjesë lideri i partisë Albin Kurti. Thaçi u zotua për punë të ndershme dhe prioritet në arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe bujqësinë.
Në Prizren, kandidati Artan Abrashi nisi fushatën me një takim në Shatërvan së bashku me partnerët e tij politikë: Zafir Berisha (BD), Besnik Krasniqi (AAK), Emilija Redžepi (NDS) dhe Haxhi Avdyli (Guxo). “Bashkë me partnerët për ndryshimin dhe fitoren e madhe të Prizrenit më 9 nëntor! Fitorja është e pashmangshme”, shkroi Abrashi.
Në Vushtrri, kandidati Sylejman Meholli krahë me Albin Kurtin premtuan zhvillim ekonomik, mbështetje për bizneset e vogla dhe investime në Zonën Ekonomike të Lumadhit. Meholli gjithashtu ftoi qytetarët për mobilizim të plotë në balotazh më 9 nëntor.


                                    
    




