Nga akademik. prof Anastas Angjeli
Me tone optimiste u zhvillua takimi i fundit mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping në Busan (Koreja e Jugut). Deklaratat e bëra nga ky takim konfirmuan se SHBA-të do të ulin disa tarifa për importet kineze dhe Kina u angazhua të rifillojë blerjet e disa mallrave amerikane (psh., soja) dhe të lehtësojë eksportet e mineraleve të rëndësishme si ato të rrallë.
PAK HISTORI PËR KONFRONTIMIN TREGTAR SHBA–KINË
Lufta tregtare midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, e nisur zyrtarisht në vitin 2018, shënoi një pikë kthese në marrëdhëniet ekonomike globale. E karakterizuar fillimisht nga vendosja e valë pas vale të tarifave reciproke mbi qindra miliarda dollarë mallra, ky konflikt nuk ishte thjesht një mosmarrëveshje mbi bilancin tregtar. Në thelb të tij qëndronin çështjet strukturore si detyrimi për transferim teknologjik (detyrimi i kompanive amerikane për t’ia dhënë teknologjinë Kinës për të hyrë në treg), subvencionet shtetërore kineze për industritë e veta, “vjedhja e pronësisë intelektuale” dhe kontrolli mbi burimet kritike, siç janë mineralet e rralla etj.. Qëllimi i SHBA-ve ishte të korrigjonte atë që e shihte si sjellje të padrejtë tregtare të Kinës, ndërsa Pekini reagoi duke theksuar sovranitetin e tij ekonomik dhe modelin shtetëror të zhvillimit. Përshkallëzimi i tensioneve jo vetëm që dëmtoi eksportuesit dhe konsumatorët në të dyja vendet, por gjeneroi një pasiguri të madhe në ekonominë globale, duke vënë në pikëpyetje tërësinë e zinxhirëve të furnizimit.
MARRËVESHJA E FUNDIT, NJË PAUZË APO ZGJIDHJE STRUKTURORE?
Klima pozitive e takimit të fundit mes Presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij kinez, Xi Jinping, duket që sugjeronte një “shkrirje të akullit tregtar” midis dy vendeve. Sipas përmbajtjes se marrëveshjes, të dyja palët pas bisedimeve e negociatave arritën në kompromise, lëshime dhe angazhime reciproke në thelb të të cilave qëndrojnë: Lëshimet e SHBA-ve: SHBA-të deklaruan se do të ulin disa tarifa mbi importet kineze dhe angazhimet e Kinës: Kina u angazhua të rifillojë blerjet e mallrave të caktuara amerikane (sidomos sojën dhe produkte të tjera bujqësore) dhe të lehtësojë eksportet e mineraleve strategjike, si ato të rrallë.
Në përgjithësi, kjo marrëveshje, sipas analizave dhe komenteve të deritashme, vlerësohet si një hap i domosdoshëm politik drejt depërshkallëzimit, por jo si një garanci përfundimtare për zgjidhje të plota dhe afatgjata. Kjo, e parë në shumë këndvështrime, analiza, rezervat e tregut, ndikimet që do ketë në ekonominë amerikane, në ekonominë kineze dhe natyrisht, në ekonominë globale, pesha ekonomike e dy fuqive të mëdha është shumë e madhe. Dhe konkretisht:
SKEPTICIZMI ANALITIK DHE REZERVAT E TREGUT
Pavarësisht shenjës pozitive të “shkrirjes së akullit tregtar” SHBA-Kinë, analiza e tregut dhe komentatorët kryesorë mbeten disi të rezervuar, duke e parë këtë marrëveshje si një masë afatshkurtër, pasi marrëveshja nuk adreson si dhe sa duhet disa çështje si:
-Çështjet strukturore të pazgjidhura: Vëzhguesit theksojnë se marrëveshja nuk adreson pikat kryesore të konfliktit – teknologjinë, subvencionet, apo kontrollin mbi mineralet strategjike. Kjo rrit frikën se po bëhet fjalë vetëm për një “pauzë të tarifave” dhe jo një zgjidhje të qëndrueshme.
-Skepticizmi publik kinez: Edhe pse media zyrtare kineze e mirëpriti marrëveshjen, në rrjetet sociale dhe në publikun e gjerë ekziston një dozë e lartë skepticizmi për qëndrueshmërinë e angazhimeve të kësaj marrëveshjeje.
EFEKTET E PRITSHME NË EKONOMITË RESPEKTIVE DHE ATË GLOBALE
Marrëveshja, padyshim që do të ketë ndikime pozitive të rëndësishme dhe sfida për t’u përballur nga të dyja vendet. Kështu, për secilin vend përfitimet dhe sfidat kryesore mund të përmblidhen:
1. Për SHBA-të, ndikimi pozitiv i pritshëm është në uljen e çmimeve për shkak të tarifave më të ulëta mbi importet kineze dhe në këtë mënyrë do të përfitojnë konsumatorët amerikanë. Përfitime do të kenë dhe eksportuesit amerikanë të sektorit të bujqësisë (rifillimi i blerjeve kineze të sojës amerikane ), etj.. Edhe nga rritja e konkurrencës për ndërmarrjet që më parë përfitonin nga “mbrojtja” tarifore, industria amerikane do të përfitojë.
Ndikimi negativ dhe sfida që mund të përballen SHBA janë se kompromisi për tarifat mund të rrisë presionin mbi buxhetin federal (pasi tarifat janë burim të ardhurash dhe ulja e tyre do të pakësojë të ardhurat e parashikuara nga rritja e tarifave). Gjithash tu, pasiguria do të vazhdojë për bizneset që varen nga zinxhirët e furnizimit (supply chains) me Kinën.
2-Për Kinën: Ulja e tarifave amerikane e bën eksportin kinez më konkurrues në SHBA, gjë që ndihmon prodhuesit kinezë.
Rifillimi i blerjeve amerikane (soja, mallra bujqësore, etj.) do të japë një nxitje për sektorin eksportues kinez. Megjithatë, Kina ka ende sfida, ajo nuk ka zgjidhur plotësisht çështje si transferimi i teknologjisë, kontrolli mbi minerale strategjike, apo të drejtat e pronës intelektuale — çështje që ishin prej kohësh pika konflikti me SHBA-të. Nëse marrëveshja është vetëm “temporare”, Kina mund të përballet me presione të rivendosura në të ardhmen.
3- Çfarë pritet për disa industri?
-Sektori i teknologjisë: Kompani që varen shumë nga Kina (psh., eksportet, zinxhirët e komponentëve) janë më të ekspozuara ndaj rritjes së kostove dhe ndërprerjeve të furnizimit. Për shembull, Jefferies ka reduktuar vlerësimet për shumë “big-tech” për shkak të rrezikut që sjellin tarifat dhe kufizimet të eksportit të teknologjisë.
-Mallrat industriale (metalet, minerale strategjike): Për shembull, çmimet e bakrit, aluminit, etj., kanë reaguar jo vetëm përmes ofertës dhe kërkesës, por edhe përmes ndikimeve të tarifave dhe ndryshimeve në rrugët e furnizimit.
-Bujqësia: Sektori amerikan i sojës po përballet me rënie të eksporteve nëse Kina diversifikon furnizuesit, kjo pritet të ndikojë çmimet globale të sojës dhe aksionet/bizneset amerikane në këtë sektor.
4. Për Ekonominë Globale Lehtësimi i tensioneve tregtare midis dy ekonomive më të mëdha do të ulë rrezikun e “ndarjes” të zinxhirëve të furnizimit, gjë që do të kishte pasoja katastrofike. Kjo marrëveshje do të përmirësojë stabilitetin e tregjeve financiare, pasi investitorët kërkojnë siguri. Megjithatë, çdo paqëndrueshmëri e marrëveshjes ruan rrezikun e rikthimit të tarifave, çka do të sillte rritje të çmimeve (inflacion) dhe pasiguri të rritur të biznesit global.
JA DISA VLERËSIME TË INSTITUCIONEVE FINANCIARE
Raportet e fundit financiare të disa institucioneve të rëndësishme financiare nënvizojnë ndikimin e ndjeshëm të tarifave. Kështu sipas:
Goldman Sachs: Në rastin e implementimit të qëndrueshëm të tarifave, mund të shihej një ulje e fitimeve për aksionet amerikane (EPS) për indeksin S&P 500 deri në 2-3%.
J.P. Morgan: Një zbritje temporare e tarifave mund të përmirësojë perspektivën e rritjes së Kinës (psh., nga 4.1% në 4.8%).
IG Group: Përshkallëzimi i tarifave shkaktoi rënie të indekseve dhe rritje të volatilitetit në tregjet aksionare amerikane, për shkak të pasigurisë në fitimet e kompanive dhe zinxhirëve të furnizimit.
Ky impakt duket konkretisht në:
Sektorin e Teknologjisë: Kompanitë që mbështeten te zinxhirët kinezë të komponentëve janë më të ekspozuara ndaj rritjes së kostove dhe ndërprerjeve.
Bujqësinë: Sektori i sojës në SHBA rrezikon humbje nëse Kina vazhdon diversifikimin e furnizuesve për këtë produkt. Nëse Kina redukton blerjet amerikane (psh., sojës) ateherë, eksportuesit amerikanë humbasin, çmimet globale bien; në të njëjtën kohë, për metalet dhe materiale industriale, ndryshimet në rrjetet e furnizimit mund të sjellin ngushtime ose luhatje më të mëdha çmimesh.
MARRËVESHJA NJË HAP TAKTIK, APO STRATEGJIK?
Marrëveshja e fundit tregon vullnetin, ose të paktën deklarimin e vullnetit, të të dyja palëve për të zvogëluar tensionet tregtare. Ajo është një hap taktik që ofron një lehtësim të përkohshëm dhe ndihmon në stabilizimin e sentimentit të tregut. Megjithatë, për sa kohë që çështjet thelbësore, si teknologjia, pronësia intelektuale dhe kontrolli mbi burimet strategjike mbeten ende të pazgjidhura, marrëveshja nuk është një zgjidhje përfundimtare, strategjike. Nëse nuk ndiqet nga negociata të thella dhe transparente, ekziston rreziku i lartë i ripërshkallëzimit. Suksese afatgjata do të kërkojnë vazhdimësi dhe adresim të sinqertë të mosmarrëveshjeve strukturore, përndryshe efektet negative si rritja e tarifave, çmimet më të larta dhe pasiguria, mund të rijetohen. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk duhet të keqinterpretohet: ajo është hap i mirë, pozitiv, por jo garantues final për zgjidhje të plota dhe përfundimtare. Nëse zbatohet mirë, mund të sjellë përfitime të prekshme për ekonomitë amerikane dhe kineze si dhe për ekonominë globale, por kërkon vazhdimësi, transparencë dhe adresim të diskutimeve strukturore (teknologji, minerale, etj.). Nëse dështon, efektet negative mund të rijetohen: rritje e tarifave, çmime më të larta, më shumë pasiguri.







