Rita Ora ka ndarë me ndjekësit e saj një moment të veçantë komunikimi me artistin kosovar, Yll Limani dhe fansat tashmë po flasin vetëm për një gjë: a po vjen një bashkëpunim mes tyre?
Në një screenshot të publikuar në Instagram Story, këngëtarja me famë botërore ka zbuluar bisedën private me Yllin, pasi të dy janë bërë së fundmi miq në rrjet. Menjëherë pas ndjekjes së njëri-tjetrit, Ylli i shkroi i pari Rites:
“Rita, e dua ‘All Natural’.”
Rita iu përgjigj me fjalë të ngrohta, duke treguar respekt dhe afërsi me artistin shqiptar:
“Oh legjendë! Faleminderit, do të thotë shumë për mua e thënë nga një shok shqiptar.”
Pa humbur kohë, Ylli e çon bisedën në një tjetër nivel, duke i propozuar asaj:
“Bashkëpunim?”
Dhe përgjigjja e Rites ka qenë e menjëhershme dhe shumë premtuese:
“Do ta doja këtë.”
Ky shkëmbim i shkurtër, por domethënës, ka ngjallur entuziazëm dhe reagime të shumta nga fansat, të cilët tashmë po presin me padurim një projekt të përbashkët mes dy prej emrave më të dashur shqiptarë.
Duke zgjedhur ta publikojë vetë këtë bisedë, Rita ka dhënë një sinjal të qartë se diçka po gatuhet pas kuintave dhe sipas komenteve të ndjekësve, mund të jetë vetëm çështje kohe para se ta dëgjojmë.








