Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se Kosova po futet në një situatë shqetësuese dhe tepër të paqartë, kjo si shkak i verimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti.
Sipas tij, shqetësuese është edhe mosgatishmëria e Kurtit që të koordinohet me aleatët. Ai madje tha se Kosova mund të ketë edhe pasoja të tjera nga ShBA-ja, BE-ja e NATO.
Abdixhiku shpreson që Kurti të reflektojë, ndërsa i bëri thirrje presidentes Vjosa Osmani që të jetë “më e qartë dhe më e zëshme në këtë moment kritik për Kosovën”.
Këto komente ai i bëri pas takimit me të dërguarin e posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Po futemi në një situatë tepër shqetësuese për Republikën dhe për më tepër të paqartë. Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova i ka me aleatët e saj e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit për dakordim me aleatët tanë”.
“Në këtë fazë, Kosovës i mbetet t’i sheh pasojat që mund t’i vijnë nga vlerësim i tillë, në radhë të parë nga ShBA-ja, Bashkimi Evropian dhe nga NATO-ja. Një gjendje të tillë si LDK e kemi të vështirë ta pranojmë, veprimet tona do të jenë publike, por në të njëjtën kohë ne shpresojmë që ju media ta transmetoni sa më qartë këtë gjendje, si gjendje e paparë deri më tani. Unë shpresoj që ai të reflektojë dhe sërish i bëj thirrje presidentes të jetë më e qartë, më e zëshme, në këtë moment kritik për Kosovën”, tha Abdixhiku.