Kosova ka marrë një vlerësim të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Shërbimi Korrektues i Kosovës është shpërblyer në Stamboll me Çmimin Ndërkombëtar të Ekselencës nga Organizata Ndërkombëtare e Burgjeve (ICPA), për projektin inovativ “Rehabilitimi Gjithëpërfshirës dhe Kujdesi Shëndetësor”.
Ky vlerësim prestigjioz dëshmon përkushtimin dhe profesionalizmin e SHKK-së në ndërtimin e një sistemi korrektues më modern, më human dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Nga SHKK kanë thënë se ky çmim është një dëshmi e punës së pa lodhshme të ekipit dhe një sukses i madh për Kosovën.
“Ky çmim vlerëson përkushtimin, profesionalizmin dhe vizionin tonë për një sistem korrektues më human, më efikas dhe me standarde ndërkombëtare. Krenarë për ekipin tonë dhe për Kosovën që po njihet në arenën ndërkombëtare për punë dhe rezultate të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës.







