Lionel Messi, i cili prej gati dy dekadash mbetet në majat e futbollit botëror, ka pranuar se ende shpreson të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe Kanada. Megjithatë, ai thekson se mosha dhe gjendja fizike do të jenë vendimtare për pjesëmarrjen e tij në turne.
Legjenda argjentinase, që do të mbushë 39 vjeç në qershor të ardhshëm, ka zgjatur kontratën me Inter Miami deri në vitin 2028, duke sinjalizuar se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli për momentin.
Në një intervistë për NBC News, fituesi i tetë “Topave të Artë” tha se do të marrë një vendim për të ardhmen e tij pas vlerësimit të gjendjes fizike gjatë parasezonit të ardhshëm me ekipin amerikan.
“Është diçka e jashtëzakonshme të jesh pjesë e një Kupa Bote dhe do të doja shumë ta përjetoja sërish,” tha Messi.
“Do të vlerësoj çdo ditë si ndihem fizikisht. Nëse do të jem mirë dhe i dobishëm për ekipin, do të bëj gjithçka për të qenë atje. Por vendimin do ta marr kur të vijë koha.”
Kapiteni i Argjentinës shtoi se ideja për të mbrojtur trofeun e fituar në Katar është një motivim i madh:
“Është gjithmonë një ëndërr të luash me kombëtaren. Ne vijmë si kampionë bote dhe mundësia për ta mbrojtur titullin është diçka spektakolare.”
Messi ka zhvilluar një karrierë mbi 20-vjeçare, duke debutuar për Barcelona-n në vitin 2004, përpara se të luante për Paris Saint-Germain dhe më pas të transferohej te Inter Miami në vitin 2023.
Pas shumë trofesh individualë dhe në nivel klubesh, ai arriti kulmin e suksesit ndërkombëtar duke fituar Kupën e Amerikës 2021 dhe më pas Kupën e Botës 2022, pas një finaleje dramatike ndaj
Francës. /ATVLIVE.TV







