Programi Kombëtar i Vaksinimit ka si qëllim të arrijë nivele të larta të mbulesës vaksinale, me vaksina të sigurta dhe efektive për të parandaluar sëmundjet infektive, në të gjithë vendin.
Vaksina HPV është një prej tyre që mbron nga disa lloje të papilomavirusit njerëzor, një virus që mund të shkaktojë kancer të qafës së mitrës si dhe kancere të tjerë.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale bën me dije se 45 mijë vajza të moshës 13–20 vjeç kanë marrë vaksinën kundër virusit HPV gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas MSHMS-së, 10 mijë prej tyre e kanë kryer këtë vaksinë vetëm në vitin 2025, një tregues i rëndësishëm i ndërgjegjësimit dhe kujdesit për shëndetin.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale pohon në njoftim se nga janari 2026, në Kalendarin Kombëtar të Vaksinimit kundër virusit HPV do të përfshihen edhe djemtë e moshës 13 vjeç, një hap i rëndësishëm për parandalimin e përhapjes së këtij virusi dhe mbrojtjen e shëndetit të të rinjve.
Mjekja Rovena Daja, në cilësinë e përgjegjëses së fushatës së vaksinimit pranë ISHP-së bën me dije se njihen mbi 150 lloje të virusit të HPV-së, ku shumica prej tyre nuk janë të rrezikshëm.
“Kemi viruset 6 dhe 12 që janë shkaktarët e lythave gjenitalë, si te meshkujt dhe te femrat. Viruset 16 dhe 18 janë ato që në 70% të rasteve japin kancer të qafës së mitrës te femrat. Por, HPV është më i rrezikshëm edhe te meshkujt, pasi ata janë bartës, transmetues, në pjesën më të madhe të rasteve edhe shkaktarë të kancerit gjenital te meshkujt dhe të faringsit”, tha Daja.
Sipas Dajës, vaksina ndaj HPV-së aplikohet prej më shumë se pesë vjetësh te femrat në moshën 13 vjeç.
“Përveç vaksinimit te vajzat e moshës 13 vjeç, ISHP organizon dhe vaksinimin shtesë, për të gjitha vajzat që kur kanë qenë 13 vjeç nuk e kanë aplikuar këtë vaksinë. Në total vajzat që e kanë aplikuar këtë vaksinë nga fillimi deri më sot janë mbi 45 mijë dhe vetëm gjatë 2025 janë mbi 10 mijë”, pohoi ajo.
“Por, me gjithë problemet që është parë të meshkujt, propozimi është që nga janari 2026 të fillojmë aplikimin e kësaj vaksine edhe te meshkujt që gjatë vitit 2026 do të bëjmë 13 vjeç. Mënyra më e sigurt për t’u ruajtur ndaj HPV është që ne ta aplikojmë këtë vaksinë përpara se të biem në kontakt në moshën 13 vjeç. Një vaksinë që është e licencuar përdoret në të gjithë vendet e botës, dhe ofrohet falas në çdo qendër shëndetësore në kuadër të kalendarit kombëtar të vaksinimit”, përfundoi Daja.
Vaksina kundër HPV është përfshirë në programin kombëtar të imunizimit për të gjitha vajzat që mbushin moshën 13 vjeç. Vaksina HPV ofrohet në një dozë të vetme, bazuar në vlerësimin e Komitetit Kombëtar të Ekspertëve të Imunizimit dhe në rekomandimet e grupit të ekspertëve të OBSH.







