PËRGATITI: SARA SHEHU
Spitali “Sheik Zayed” në Vushtrri po përballet me mungesë të shtretërve në repartin e Emergjencës, i cili është i stërmbushur me raste urgjente. Derisa pacientët kërkojnë që t’ju bëhet një zgjidhje, menaxhmenti i spitalit thotë se është duke punuar për ta zgjidhur këtë problematikë.
Spitali “Sheik Zayed” në Vushtrri, i cili u përurua vetëm para 6 vjetëve, po ballafaqohet me mungesë të shtretërve në Emergjencë.
E pikërisht fluksi i rasteve urgjente në këtë repart është i lartë, pasi që vetëm brenda një dite në të trajnohen rreth 60 raste.
Për pacientët dhe familjarët e tyre, kjo situatë është tejet shqetësuese.
“Ka nevojë për shtretër, por mundësia tjetër e realiteti krejt tjetër”.
“Është shumë shqetësuese, është mirë me u realizu këto kërkesa. I vogël është numri i shtretërve. Sipas numrit të banorëve duhet ma shumë shtretër”.
E një tjetër familjar, mendon se problemin mund ta zgjidhë vetëm niveli qendror.
“Këtë situatë duhet me ditë drejtoria e spitalit dhe Ministria e Shëndetësisë. Ata duhet me vepru me bo diçka më shumë. Se qysh po shihet kushtet nuk janë të mira”.
Se po përballen me mungesë të shtretërve e pranoi edhe drejtoresha e spitalit, Shefkije Shatri.
“Emergjenca ka katër shtretër për pacientë. Një kënd është kirurgjikal dhe një kënd i reanimimit, pra në total gjashtë shtretër. Por mundësia për me pasë më shumë shtretër është e pamundur, për shkak të hapësirës së vogël”.
Megjithatë, ajo premtoi se së shpejti do t’i vijë fundi këtij problemi.
“Gjatë mandatit tim, spitalit do t’i rritet një aneks e me këtë parashihet edhe zgjerimi i repartit të Emergjencës.”
Në emergjencën e këtij spitali punojnë 3 doktorë emergjentë me 2 mbështetës dhe 12 teknikë.
Ndryshe, gjatë muajit maj, në këtë repart janë trajtuar rreth 2000 raste urgjente.